Policia greke në Selanik ka arrestuar një 26-vjeçar me origjinë shqiptare, pas një denoncimi të bërë nga partnerja e tij 20-vjeçare, e cila e akuzon për përdhunim dhe dhunë fizike.
Sipas deklarimeve të viktimës, ngjarja ka ndodhur në orët e para të së dielës së kaluar, ndërsa ajo ndodhej së bashku me 26-vjeçarin në një hotel. Ajo ka raportuar se, gjatë marrëdhënies seksuale, partneri i saj është bërë i dhunshëm ndaj vullnetit të saj, duke i shkaktuar mavijosje në trup. Po ashtu, e reja ka deklaruar se ai kishte konsumuar substanca narkotike, konkretisht kokainë, para aktit të dhunës.
Menjëherë pas denoncimit, oficerët e Departamentit të Hetimit të Krimit në Oreokastro kanë kryer hetimet për lokalizimin e të dyshuarit, i cili u arrestua në zonën e Stacionit të Ri Hekurudhor në Selanik.
Ndaj 26-vjeçarit është ngritur padia për përdhunim dhe shkelje të ligjit për substancat narkotike, dhe ai pritet të dalë përpara prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.