Nga viti 2008 deri në 2024, rreth 1 milionë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat. Në vitin 2008, ishin regjistruar 97,780 leje qëndrimi, ndërsa deri në vitin 2014 ky numër u rrit në rreth 389 mijë.
Pas vitit 2015, ritmi i rritjes u përshpejtua, duke arritur në mbi 600 mijë leje qëndrimi në vitin 2018 dhe më shumë se 765 mijë në vitin 2021. Nga viti 2021 deri në 2024, numri i lejeve të qëndrimit për shqiptarët në vendet e BE-së është rritur me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në 999,138 leje.
Ky trend i vazhdueshëm tregon për një presion të fortë emigrimi nga Shqipëria drejt vendeve europiane. Në fund të vitit 2024, Shqipëria ka arritur të renditet në krye të vendeve me emigracion të lartë në raport me popullsinë, duke u bërë një nga komunitetet më të mëdha të emigrantëve në hapësirën europiane.