Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) po futet zyrtarisht në biznesin e ndërtimit, duke kaluar nga kredidhënia tek zhvillimi i resorteve turistike. Dy muaj më parë, kjo bankë themeloi një shoqëri të re komandite me emrin “BAY VIEW ALTERNATIVE INVESTMENT FUND”, e cila do të ndërtojë një resort në një sipërfaqe prej 32 hektarësh në zonën bregdetare të Poros, në Vlorë.
Dokumentet tregojnë se shoqëria e re ka një kapital prej 10.6 milionë euro, ku 99.3% zotërohet nga ABI Bank dhe pjesa tjetër nga drejtuesi i saj, Andi Ballta. Aseti kryesor i këtij kapitali është pikërisht toka 32 hektarëshe, e siguruar nga ekzekutimi i kolateraleve të kredive të këqija. Pra, ajo që dikur ishte kolateral për hua të pashlyera, sot do të shndërrohet në resort turistik.
![]()
Shoqëritë komandite (SIK) funksionojnë si fonde investimesh alternative, të regjistruara pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dhe u ofrohen vetëm investitorëve profesionistë. Në këtë rast, ABI Bank është ortaku kryesor me përgjegjësi të pakufizuar, ndërsa ortakë të tjerë mund të bashkohen duke kontribuar me kapital shtesë për zhvillimin e projektit.
Ky nuk është rasti i parë që ABI Bank diversifikohet jashtë sektorit bankar. Vetëm pak muaj më parë, në maj, ajo bleu 10% të aksioneve të Premier Group – kompania e njohur e turizmit me aksioner kryesor Enver Mehmeti – për një çmim prej 363 mijë eurosh. Paralelisht, banka i ka dhënë Premier Group një financim prej 16 milionë eurosh për ndërtimin e hoteleve të reja, duke vendosur blerjen e aksioneve si garanci shtesë për kthimin e kredisë. Mehmeti ruan të drejtën e riblerjes së 10% të aksioneve pas shlyerjes së një pjese të detyrimeve.
Kjo lëvizje tregon një tendencë të re në Shqipëri: epidemia e ndërtimit ka përfshirë jo vetëm biznesmenët dhe politikanët, por tani edhe bankat, të cilat përveç financimeve po futen drejtpërdrejt në sektorin e turizmit dhe ndërtimit.