Aktivisti Andrea Bregu ka denoncuar një incident të rëndë që, sipas tij, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 14 shtator, rreth orës 04:08, në zonën e Rrugës Bardhyl në Tiranë.
Sipas denoncimit publik të bërë nga vetë Bregu, rreth kësaj ore, ai është ndaluar pa asnjë arsye të ligjshme nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa ka qenë duke kryer një transmetim live. Gjatë ndalimit, atij i është kontrolluar çanta dhe mjetet personale pa autorizim dhe pa prezantim të ndonjë urdhri ligjor.
Gjatë kontrollit, ai thotë se transmetimi live i është ndërprerë me forcë nga njëri prej policëve, i cili, sipas tij ka ushtruar edhe presion verbal duke e ofenduar me fjalë banale.
Vetë Bregu shprehet se nuk shfaqur asnjë rezistencë gjatë ndalimit dhe ka dorëzuar mjetin e identifikimit siç e kërkon procedura. Por nën presionin e efektivëve, ai është detyruar të hapë çantën e tij, ku ndodheshin mjete pune dhe fashikuj hetimorë në lidhje me çështje korruptive që, sipas denoncimit, janë objekt kallëzimesh penale në SPAK gjatë vitit 2025.
Gjithashtu, Bregu pohon se gjatë ndalimit i janë marrë kredencialet, pavarësisht se nuk kishte asnjë arsye ligjore për ndalimin apo kontrollin ndaj tij.
Materialet provë të ngjarjes, përfshirë edhe video të regjistruara gjatë incidentit, i janë referuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe janë dërguar për dijeni edhe pranë Ministrisë së Brendshme.
Ky rast ngre sërish shqetësime mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, tejkalimin e kompetencave policore dhe presionet ndaj aktivistëve që denoncojnë korrupsionin dhe abuzimet institucionale
Denoncimi i qytetarit:
"Video nga transmetimi i kryer nga Aktivisti Andrea Bregu gjatë ndalimit pa arsye nga punonjës së Policisë së Shtetit, në datën 14 Shtator, 2025, rreth orës 04.08, në Rrugën Bardhyl. Gjatë ndalimit pa arsye më është kontrolluar çanta dhe mjetet personale në të pa autorizim, menjëherë pas rrëmbimit të telefonit dhe fikjes së transmetimit nga polici që zbret nga motorri jam kërcënuar me jetë, duke cituar fjalët "b*thq*r, të hedh aty tek puseta, ta marr jetën që të të mos gjejë më njeri, kë filmon ti?" Gjatë ndalimit pa arsye nuk kam bërë asnjë rezistencë edhe duke e ditur që ndalimi është pa arsye kam dorëzuar mjetin e identifikimit, pa vullnetin tim dhe nën presion nga punonjësit e policisë kam hapur çantën ku gjenden mjetet e punës dhe fashikuj hetimorë të çështjeve korruptive ndaj personave, ndaj të cilëve janë bërë kallëzim penal në SPAK gjatë këtij viti. Gjatë ndalimit pa arsye më janë marrë kredencialet duke u raportuar edhe përse nuk ka pasur arsye për ndalimin tim nga punonjës të policisë së shtetit. Materiali provë i referohet Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni të Ministrisë së Brendshme".