Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilloi një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Në konferencën e përbashkët për mediat, Netanyahu deklaroi se ndjehet i kërcënuar nga dhuna politike, duke e lidhur këtë me klimën e tensionuar që po përjeton vendi.
Ai reagoi pas pyetjes për vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, duke theksuar se Izraeli po përballet me një “dhunë të jashtëzakonshme nga kundërshtarët politikë”, të cilët i cilësoi si një “kërcënim për demokracinë”. Sipas tij, edhe vetë ai është nën presion e rrezik nga këto zhvillime.
Nga ana tjetër, Rubio u shpreh i tronditur nga vrasja e Kirkut, duke e përshkruar atë si “një humbje në familje”, për shkak të lidhjeve të ngushta që ai kishte me shumë figura të administratës Trump. Ai përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Rubio theksoi se Hamasi duhet të “eliminohet si organizatë e armatosur”, duke shtuar: “Çdo peng duhet të kthehet menjëherë dhe Hamasi duhet të neutralizohet.”