Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, aty ku çdo ditë dhjetëra foshnje vijnë në jetë, është shënuar një histori e veçantë që i ka emocionuar të gjithë. Këtë herë janë vetë 10 mami të këtij institucioni që po përjetojnë në të njëjtën kohë magjinë e pritjes së ëmbël.
Prej vitesh ato kanë qëndruar pranë grave shtatzëna në momentet më të ndjeshme... e me duart e tyre kanë mbajtur qindra foshnja të porsalindura, duke qenë dëshmitare të lotëve të gëzimit të nënave dhe buzëqeshjeve të para të prindërve. Por sot, rolet janë përmbysur. Vetë mjeket e jetës mbajnë brenda tyre dhuratën më të madhe që mund të marrë një grua, jetën e re që rritet në zemrën e tyre.
Mrekullia e shtatzënisë ka trokitur në jetën e 10 mamive.
Ky mesazh nuk është thjesht një lajm gëzimi, por edhe një dëshmi e bukur se jeta është një cikël që bashkon njerëzit në mënyrat më të papritura. Ndërsa pacientet e tyre ndihen të sigurta nga përkujdesja e mamive, këto gra tashmë po marrin vetë të njëjtën dashuri dhe mbështetje nga njëra-tjetra.
Kur kjo ndodh njëherësh për 10 prej tyre, emocionet shumëfishohen, duke sjellë një frymë të re emocionuese.