Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Ai është një nga biznesmenët më të denoncuar për përfitimin e tenderave të AKSHI-it me drejtuese Mirlinda Karçanaj, shpesh tendera tw denoncuara nga JOQ Albania. "Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Beqiri u bë i njohur për publikun në vitin 2021, kur ai ishte një inxhinier elektronik dhe drejtor i IT-së në Universitetin e Tiranës dhe u thirr si ekspert në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga emrat më të njohur në industrinë e teknologjisë në Shqipëri, është nën hetim nga SPAK për përfitimin e kontratave shtetërore, veçanërisht nga (AKSHI).
Hetimet, të cilat dyshohet se lidhen me manipulime dhe shkelje ligjore gjatë proceseve të prokurimit, përfshijnë kontrollin e ushtruar nga oficerët e BKH në kompaninë e tij "Soft & Solution". Beqiri është i lidhur ngushtë me një tjetër sipërmarrës të njohur në këtë sektor, Ergys Agasi, i cili po ashtu është i përfshirë në një seri kontratash shtetërore të dyshimta.
Sipas burimeve, të dy kompanitë e Beqirit dhe Agasit, “Soft & Solution” dhe “EA Solution”, kanë fituar dhjetëra projekte publike, shpesh në një periudhë të shkurtër kohore, duke ngritur dyshime për një skemë të mundshme bashkëpunimi ose rotacion tenderash.