Sasia e manganit në Badoc mbetet e lartë, njofton IKSHPK-ja

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.09.2025, 18:57

Sasia e manganit në Liqenin e Badocit vazhdon të jetë e lartë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm ka evidentuar ngritje të nivelit të manganit në zonat që furnizohen nga liqeni akumulues i Badocit.

Analizat laboratorike të kryera më 01.09.2025, sipas IKSHPK-së, tregojnë tendencë të rritjes së vlerave si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.

Sipas institutit, këto vlera tejkalojnë kufirin e përcaktuar në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, por deri më tani nuk e kanë kaluar standardin shëndetësor që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”- thuhet në njoftimin e datës 15.09.2025.IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon këtë element.

Prandaj, siç njoftohet, uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.Instituti shton se ka rritur masat e kontrollit dhe është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për të siguruar furnizim me ujë të sigurt për qytetarët.

Në komunikatë shkruhet se KRU “Prishtina” ka ndërmarrë masat e nevojshme, si zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit dhe intensifikimin e proceseve të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistralë dhe sekondarë.Gjithashtu, IKSHPK njofton se, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit