Kanë kaluar 4 ditë nga tragjedia që ndodhi në qytetin e Durrësit, ku 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi humbi jetën në një mëngjes të zakonshëm ku kishte dalë nga shtëpia e tij.
Atë ditë Durrësi ishte gdhirë me shi. Gabimi i vetëm që i kushtoi jetën babait të tre fëmijëve ishte prekja e një shtylle, e cila telat përcjellës i kishte të zbuluar. Ai humbi jetën në vend nga korrenti, dhe qytetarët e pranishëm e kishin të pamundur që t’i jepni qoftë një ndihmë të vogël.
Situata kërkohet të kalohet në heshtje, pavarësisht se gjendja e shtyllave elektrike në Durrës është shumë më e rëndë se aq. Prej disa ditësh, redaksia jonë vazhdimisht ka denoncuar shtylla të ndryshme në Durrës, të cilat kërkojnë riparime të menjëhershme pasi janë rrezik për jetën e kalimtarëve.
Aq e rëndë është situata në Durrës, sa bashkia e Emiriana Sakos nuk ka rregulluar as telat e këtyre shtyllave që ndodhen jo më larg se 10 metër nga bashkia e saj. Pamjet janë të qarta, telat e shtyllave janë përjashta, në pritje të “gjahut” të radhës.
Videoja është filmuar pikërisht mbrëmjen e datës 11 shtator, ku në mëngjes humbi jetën Bardhyli, dhe në darkë kjo ishte gjendja përpara bashkisë së Sakos. Qytetarët janë tepër të frikësuar nga kjo situatë, prandaj kërkojnë drejtësi, dhe të merren masa për riparimin e këtyre defekteve.
Denoncimi i plotë i mbërritur në redaksinë tonë:
Përshëndetje JOQ Albania! Dëshiroj të ndaj me ju një shqetësim që tashmë mund ta quaj të vjetër, por gjithmonë prezent.
Lidhur me rastin e sotëm të të ndjerit që u godit nga rryma elektrike në Durrës, dua t’ju them se nuk është e vetmja shtyllë me tela të zbuluar. Ka edhe të tjera, në lagje të ndryshme, madje jo më larg se 30 metra nga Bashkia e Durrësit!
Unë kaloj çdo ditë aty me fëmijën tim dhe gjithmonë e shmang atë zonë, nga frika se mos prek telat që prej vitesh janë jashtë shtyllës, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi për ta vënë ujin në zjarr. Ndoshta për qeverinë vendore kjo duket një gjë e papërfillshme, por do të ishte mirë që dikush të marrë përgjegjësinë dhe t’i rregullojë përpara se të merret një tjetër jetë.
Po ju dërgoj edhe disa foto më poshtë.