Vetëvrasja e shqiptarit në Angli, zbardhet raporti i hetimit: Nuk duhej çuar në anijen ‘hotel’

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.09.2025, 16:09

Një gjykatë në Dorset, Anglia Jugore, do të nisë shqyrtimin e rastit tragjik të vetëvrasjes së emigrantit shqiptar Leonard Farruku, i cili në vitin 2023 u vendos nga Ministria e Brendshme britanike në një anije-hotel, në kushte të rënduara shëndetësore dhe pa mbështetje të mjaftueshme mjekësore.

Top Channel ka zbuluar raportin prej 65 faqesh të psikiatrit Dr. Dinesh Maganty, i cili evidenton një sërë neglizhencash në trajtimin e Leonardit. Në raport theksohet se Leonard, me probleme serioze të shëndetit mendor, nuk duhej të transferohej në anijen Bibby Stockholm, pasi mjedisi i mbyllur dhe mungesa e kujdesit adekuat i përkeqësuan gjendjen.

“Në korrik 2023, policia refuzoi ta arrestonte Leonardin sepse konsideroi se sjellja e tij ishte për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Ata duhet ta kishin ndaluar atë në një vend të sigurt, pra në një spital, dhe të kishin rregulluar që ai t’i nënshtrohej një vlerësimi të shëndetit mendor nga një mjek i kualifikuar dhe profesionistë të autoriteteve lokale”.

Psikiatri shpjegon se sjelljet e Leonardit, përfshirë zemërimin dhe izolimin, treguan gjendje të rënduar mendore dhe mungesë kuptimi për pasojat e veprimeve të tij.

“Kur Leonard mori letër e Home Office në lidhje me zhvendosjen në barkë më 24 tetor, është e dyshimtë që ai të ketë qenë në gjendje të angazhohej në proces për shkak të sëmundjes së tij mendore, që do të thoshte se ai nuk mund të mendonte në mënyrë koherente ose logjike, ose të kishte njohuri ose të kuptonte se si sëmundja e tij po e ndikonte atë”.

Mospasja e kujdesit mjekësor, thekson raporti, vijoi edhe kur Leonard Farruku nisi të jetojë në anijen hotel Bibby Stockholm.

“Leonardi nuk u pa nga një mjek i përgjithshëm, një infermiere apo mjek specialist i shëndetit mendor në barkë. Atij iu caktua një shok dhome më 27 nëntor 2023, por nuk ndërveproi me të. Ai nuk dukej se fliste me njerëz të tjerë në barkë, ishte i izoluar dhe nuk ulej me askënd tjetër gjatë vakteve. Ai nuk doli nga dhoma e tij në barkë për 4 ditë midis 7 dhe 10 dhjetorit 2023 dhe më 10 dhjetor 2023 një banor tjetër e pa me sy të skuqur dhe mendoi se kishte qarë”.

Policia kishte refuzuar ta arrestonte, duke konstatuar se ai kishte nevojë për ndihmë mjekësore dhe jo ndjekje penale.

Gjatë qëndrimit në anije, Leonard nuk u vizitua nga mjekë apo specialistë, ndërsa u vu re i izoluar dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Sipas raportit, mungesa e trajtimit të duhur me medikamente, terapi psikologjike dhe kujdes multidisiplinor ndikoi në vetëvrasjen e tij.

Anija nuk ishte një mjedis i përshtatshëm për dikë me simptomat e Leonardit dhe do kishte qenë e dëmshme për shëndetin e tij mendor. Kjo për shkak se ishte një mjedis i mbyllur dhe nuk kishte mbështetje të mjaftueshme për shëndetin mendor. Trajtimi i Leonardit duhej të kishte ndjekur një qasje terapeutike shumëdisiplinore dhe për rezultatin më të mirë duhej të kishte përfshirë një kombinim të medikamenteve, terapisë psikologjike, kujdesit mjekësor dhe terapisë okupacionale”.

Gjyqtarja Rachael Griffin po dëgjon palët në këtë proces dhe do të nxjerrë vendimin mbi përgjegjësitë lidhur me këtë rast.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit