Fermerët në zonën e Bujqës–Jagodinë po përballen me një krizë të rëndë bujqësore, pasi kultura e specit është goditur masivisht nga një insekt i njohur si “miza e bardhë”.
Kjo situatë ka sjellë dëme të mëdha në prodhim dhe ka pamundësuar shitjen, si në tregun vendas ashtu edhe në eksport.
Osman Sula, një fermer që zotëron dy hektarë sera me spec, tregon se i gjithë investimi i këtij sezoni ka shkuar dëm.
“Kam 15 dynym të mbjella me speca. Problemi më i madh është një mizë e bardhë, të cilën e kemi luftuar dhjetëra herë, por nuk arrijmë dot ta zhdukim. Kjo mizë bën që speci të mos lidhet, ose edhe kur lidhet, fruti dëmtohet. Ky frut nuk shitet as në eksport, as në tregun vendas dhe as vetë nuk e përdorim dot,” shprehet Sula.
Ai thekson se nuk ka arritur të vjelë asnjë kilogram këtë sezon dhe humbjet janë aq të mëdha sa nuk mbulohen as shpenzimet bazë.
“Nuk nxjerrim dot as shpenzimin e fidanit. Të gjithë banorët e zonës sonë janë prekur nga kjo situatë dhe më duket se është problem në të gjithë Shqipërinë,” shton ai.
Sipas fermerëve, përballja me mizën e bardhë kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mbështetje nga shteti. Ata kërkojnë ofrimin e preparateve efikase për të frenuar përhapjen e insektit, i cili po kërcënon seriozisht të ardhurat dhe jetesën e tyre.
“Unë personalisht ndihem i falimentuar. Familja ime merret vetëm me bujqësi. Kam dy hektarë sera të mbjella, por nuk kam shitur asnjë frut,” përfundon Osman Sula.
Kjo situatë alarmante po kthen sezonin bujqësor në një sfidë të mbijetesës për fermerët, të cilët apelojnë për ndërhyrje urgjente institucionale.