“Blemë 6 televizorë, 2 i gjetëm të thyer! ‘Globe’ s’mban asnjë përgjegjësi”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.09.2025, 20:42

Një qytetare nga Saranda i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar rrjetin e dyqaneve “Globe”. Ajo pretendon se pas blerjes së gjashtë televizorëve, dy prej tyre rezultuan të thyer, por kompania nuk pranoi t’i zëvendësonte pavarësisht se produktet ishin me garanci.

“Pas një rrufeje që na dogji gjashtë televizorë, më 2 shtator 2025 bleva gjashtë të rinj tek ‘Globe’ Sarandë, të paketuara dhe me dy vjet garanci. Ditën tjetër u montuan katër dhe ishin në rregull. Dy të tjerët që i hapëm më vonë ishin fizikisht të thyer në pozicione të ndryshme. Kur kontaktuam me dyqanin, fillimisht na drejtuan tek ‘Globe’ Tiranë, e më pas sërish tek Saranda, duke na thënë se nuk i pranojnë pasi më parë kishim deklaruar në telefon se televizorët ishin në rregull. U shpjeguam se dy televizorët nuk ishin hapur ende, por refuzuan duke thënë: ‘Ankohu ku të duash’. Jemi të zhgënjyer nga mënyra si u trajtuam.” – thotë qytetarja.

Në videon e dërguar pranë redaksisë, shihen edhe pamjet e një prej televizorëve të thyer.

Sipas saj, kjo sjellje bie ndesh me standardet e shërbimit ndaj klientit që ajo është mësuar të përjetojë jashtë vendit, ku jeton prej shumë vitesh.

Qytetarja thotë se tashmë është detyruar të porosisë pajisje të reja nga një njësi tjetër, duke paguar dyfishin e çmimit, ndërsa e mbyll denoncimin e saj e zhgënjyer nga rrjeti i dyqaneve “Globe”.

JOQ Albania nuk mban qëndrim mbi akuzat e bëra, por thjesht pasqyron denoncimin e qytetares. Nëse kompania “Globe” dëshiron të paraqesë versionin e saj, është e lirë të na kontaktojë për t’u publikuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit