Kina pritet të inaugurojë këtë muaj urën Huaijiang, një kryevepër të inxhinierisë moderne që do të vendosë një rekord botëror si ura më e lartë në glob. E ndodhur në provincën Guizhou, kjo strukturë gjigante shtrihet në një lartësi 624 metra mbi tokë, gati dyfishi i Kullës Eiffel në Paris.
Me një gjatësi prej 2.892 metrash, ura përshkon një gryke të thellë të njohur nga vendasit si “çarja e tokës”. Projekti nisi në vitin 2022 dhe konsiderohet jetik për zhvillimin e rajonit, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga dy orë në vetëm dy minuta midis krahinave Guanling dhe Zhenfeng, ku jetojnë rreth 600 mijë banorë.
Rekordi i mëparshëm mbahej po nga Kina, me urën Beipanjiang në lartësinë 565 metra, por Huaijiang e ka tejkaluar me më shumë se 50 metra diferencë.
Krahas funksionalitetit, ura është ndërtuar edhe si një atraksion turistik spektakolar: ajo përfshin një ashensor panoramik 213 metra të lartë dhe një shteg xhami gjysmë milje të gjatë, që pritet të tërheqë mijëra vizitorë.
Megjithatë, sukseset e mëdha shoqërohen me kujdes: vetëm pak kohë më parë, në provincën Qinghai, 12 punëtorë humbën jetën pas rrëzimit të një ure në ndërtim, duke rikthyer në vëmendje sfidat e sigurisë që shoqërojnë projektet kolosale të vendit.