Fermerët në Fier dhe Roskovec po përballen me një sezon dramatik, ku qindra tonë shalqinj kanë mbetur pa u vjelë. Shkaku kryesor, sipas tyre, është çmimi tepër i ulët që u ofrojnë tregtarët, krahasuar me çmimin e lartë që paguajnë konsumatorët.
Në fushë, shalqiri blihet vetëm me 50 lekë të vjetra për kilogram, ndërsa në treg arrin deri në 250 lekë. Kjo diferencë e madhe, thonë fermerët, po i çon drejt falimentimit. “Ne nuk dalim as për plehra e punime, ndërsa tregtarët fitojnë shumëfishin tonë,” shprehen ata të revoltuar.
Rreth 80% e prodhuesve në këto zona nuk kanë shitur asnjë frut këtë vit, duke i kthyer arat në male shalqinjsh të kalbur. Për shumë fermerë, dëmet financiare llogariten në miliona lekë të vjetra, duke i detyruar disa të marrin edhe kredi për të shlyer borxhet.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit si rregullator të tregut, duke vendosur standarde për çmimet dhe duke orientuar kultivimin sipas kërkesës reale. Përndryshe, paralajmërojnë se shumë fermerë do të braktisin kultivimin e shalqirit.