Shi, spektakël dhe dopietë! Arsenali ‘shkatërron’ Nottinghamin në “Emirates”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.09.2025, 17:08

Nën reshjet e dendura të shiut që shoqëruan gjithë 90 minutat në “Emirates”, Arsenali e nisi me këmbë të mbarë raundin e katërt të Premier League, duke mposhtur me rezultatin bindës 3-0 Nottinghamin.

Djemtë e Mikel Artetës dominuan nga fillimi deri në fund, duke mos i lënë asnjë hapësirë skuadrës së drejtuar nga Ange Postecoglou, i cili debutoi me humbje në stolin e miqve. Zhbllokimi i sfidës erdhi në minutën e 32-të, kur Martin Zubimendi lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke realizuar një gol spektakolar që ndezi “Emirates”-in.

Vetëm pak çaste pas fillimit të pjesës së dytë, vendasit gjetën edhe rrjetën e dytë. Pas një verifikimi me VAR, u konfirmua pozicioni i rregullt i Eze, i cili asistoi Gyokeresin. Ky i fundit nuk fali me portën bosh, duke vulosur praktikisht tri pikët. Spektakli i Arsenalit u mbyll në minutën e 79-të, kur i sapohedhuri në fushë Trossard, me prekjen e parë, asistoi sërish për Zubimendin, i cili me një goditje me kokë realizoi dopietën personale.

Pas katër javësh, Arsenal numëron tre fitore dhe një humbje, duke u ngjitur përkohësisht në krye të renditjes me 9 pikë. Nottingham, nga ana tjetër, mbetet në vendin e 11-të me 4 pikë. Sfida e radhës për “topçinjtë” është ajo e zjarrtë ndaj Manchester City-t, ndërsa Nottingham do të udhëtojë drejt Burnley-t.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit