Prej vitesh banorët e zonës së Grumbullimit të Tapizës po përballen me një problem të madh dhe të përsëritur, ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe tension të paqëndrueshëm, i cili jo vetëm që po dëmton pajisjet elektroshtëpiake, por edhe po kërcënon sigurinë e tyre të përditshme.
Në qendër të kësaj situate qëndron një kabinë elektrike e cila prej kohësh është në gjendje të mjerueshme. Sipas banorëve, ky objekt përbën një rrezik serioz për jetën, pasi është shumë i dëmtuar dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda në çdo moment. Pamundësia për ta riparuar apo zëvendësuar ka bërë që problematika të zvarritet, duke u kthyer në një makth të përditshëm për familjet e zonës.
Edhe pse banorët kanë kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje nga OSHEE, deri më tani nuk ka pasur asnjë zgjidhje konkrete. Nevoja për një ndërhyrje urgjente është imediate, jo vetëm për të stabilizuar furnizimin me energji elektrike, por mbi të gjitha për të garantuar sigurinë e komunitetit që jeton nën hijen e një rreziku të vazhdueshëm.
Edhe sa tragjedi si ajo e Durrësit duhet të ndodhin në vendin tonë që OSHEE të bëj punën që i takon?
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, po ju drejtohem përmes këtij mesazhi për të denoncuar një problem serioz elektrik në zonën Grumbullim/Tapizë . Prej disa vitesh kemi pasur ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe tension jo të qëndrueshëm, gjë që po dëmton pajisjet elektroshtëpiake dhe po rrezikon sigurinë tonë. Kabina elektrike është në gjendje te mjerueshme dhe përben rrezik të madh për jetën e banorëve pasi është tepër e dëmtuar. Kemi kontaktuar me OSHEE-në, por deri tani nuk ka asnjë zgjidhje konkrete. Ju lutem na ndihmoni që ky problem të bëhet publik dhe të marrë vëmendjen e duhur nga autoritetet përkatëse. Faleminderit për ndihmën dhe për punën tuaj.