Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përfshirë sërish në një gafë duke ngatërruar Shqipërinë me Armeninë gjatë një interviste për Fox News. Ai deklaroi se kishte ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, duke përmendur një konflikt që kishte zgjatur për shumë vite mes dy vendeve.
“Unë zgjidh luftëra që janë të pazgjidhshme. Azerbajxhani dhe Shqipëria kjo zgjati për shumë vite. Ata ishin ulur kaq larg njëri-tjetrit në zyrën time. Njëri tha: ‘Kam vrarë njerëzit e tij për 22 vjet’. Tjetri: ‘Kam vrarë për 7 vjet’. Dhe unë thashë: ‘Le të pajtohemi’, tha Trump.
Në realitet, konflikti i përmendur nga Trump ka ndodhur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorno-Karabakh, dhe jo me Shqipërinë. Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan bën këtë gabim, duke ngatërruar dy vendet në mënyrë të përsëritur në deklaratat publike. Ky gabim ka shkaktuar reagime dhe edhe pakënaqësi në qarqet diplomatike dhe publike.