Kishte shkuar në Itali si i mitur i pashoqëruar, kush ishte Valerjo Maksuti që humbi jetën dje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.09.2025, 12:22

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bolonjë të Italisë, ku 18-vjeçari shqiptar Valjero Maksuti humbi jetën pasi makina tip Audi, në të cilën ishte pasagjer, u përplas me një shtyllë elektrike. Automjeti drejtohej nga shoku i tij 19-vjeçar, gjithashtu shqiptar, i cili mbeti i plagosur dhe tashmë është arrestuar nga autoritetet italiane.

Sipas Corriere della Serra dy të rinjtë kishin vite që jetonin në Bolonjë, pasi kishin mbërritur në Itali si të mitur të pashoqëruar. Mjeti me të cilin udhëtonin rezultoi i vjedhur prej disa ditësh dhe aksidenti ndodhi pas një arratisjeje nga një kontroll policor, në zonën e via Murri.

Viktima dhe e kaluara e tij

Valjero Maksuti, i njohur nga miqtë me nofkën “Lali”, kishte lënë së fundmi qendrën e akomodimit për të mitur dhe nuk ishte më pjesë e ndonjë komuniteti. Vdekja e tij tronditi rrethin shoqëror, ku shumë miq e të afërm e përkujtuar në rrjete sociale me mesazhe prekëse dhe foto të përbashkëta. Nga hetimet, rezulton se 18-vjeçari kishte vetëm një precedent: një kallëzim i vitit të kaluar për vjedhje monopatini dhe rezistencë ndaj një punonjësi publik.

Shoferi 19-vjeçar dhe akuzat e rënda

I riu që drejtonte makinën, ndonëse pa patentë, deri më tani nuk kishte precedent penal. Ai ndodhej në proces akomodimi në një strukturë për të rinjtë e rritur të sistemit kombëtar italian, ku merrte mbështetje sociale, ligjore dhe punësimi. Kohët e fundit kishte gjetur edhe një vend pune në sektorin e shërbimeve.

Pas aksidentit, autoritetet e arrestuan me akuzën e “vrasjes rrugore”, si dhe për rezistencë ndaj policisë dhe përdorim të një automjeti të vjedhur. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti edhe mjete të forta si një çekiç, grusht hekuri dhe pajisje për hapje me forcë, ndërsa nga verifikimet në strukturën ku banonte nuk rezultoi ndonjë material i paligjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit