Në fund të rrugës Jordan Misja po ndodh një tjetër histori tipike e “urbanizimit shqiptar”: një pallat shumëkatësh po ngrihet ngjitur me një banesë private, duke prekur deri edhe themelet e saj. Oborri i shtëpisë tashmë është zhdukur dhe muret janë rrezikuar nga gërmimet e thella që kanë shoqëruar ndërtimin.
Ky fenomen nuk është i izoluar. Në Tiranë prej vitesh ndërtime të reja kanë përpirë lagje të tëra, duke zhdukur hapësirat private e publike, shpesh në kurriz të sigurisë së banorëve ekzistues. Shtëpitë e ndërtuara dekada më parë nuk marrin asnjë mbrojtje ligjore kur përballen me projektet gjigante të betonit, ndërsa autoritetet lokale mjaftohen me prezencë formale, pa ofruar zgjidhje.
Në rastin e Jordan Misjes, pallati i ri jo vetëm që ka ndryshuar peizazhin urban, por ka cenuar drejtpërdrejt strukturën e banesës pranë, duke i dëmtuar themelet. Kjo situatë rrit rrezikun që ndërtesa ekzistuese të pësojë çarje apo shembje, duke vënë në rrezik jetën dhe pronën e banorëve.
Ky është një tregues i qartë se ndërtimi pa kriter, mungesa e kontrollit urbanistik dhe indiferenca institucionale po i shndërrojnë qytetarët në viktima të një procesi ku betonizimi ka më shumë vlerë se e drejta për banesë të sigurt.