Prishtinë – Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.
Në një deklaratë zyrtare, Ambasada sqaron se arsyeja e këtij vendimi janë “shqetësimet për veprimet e qeverisë në detyrë, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta”.
Ambasada thekson se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta me popullin e Kosovës. “Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin ekonomik të ndërsjellë,” thuhet në deklaratë.
Megjithatë, sipas Ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “krijuar sfida ndaj progresit të bërë gjatë shumë viteve”.
Dialogu Strategjik synonte të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popujve amerikan dhe kosovar. SHBA-ja shpreh shpresën se këto përpjekje do të vazhdojnë në të ardhmen, kur kushtet të jenë të përshtatshme, duke theksuar se ky është një qëllim i rëndësishëm edhe për popullin e Kosovës.