Një histori prekëse, e nisur vetëm një ditë më parë, ka marrë sot një kthesë të lumtur. Roman Kunčar, 30-vjeçari nga Çekia që kërkonte babain biologjik shqiptar, ka arritur më në fund të vihet në kontakt me të atin pas plot tri dekadash.
Ditën e djeshme, JOQ Albania publikoi apelin e Romanit për të gjetur babain e tij, E.B, rreth 55–60 vjeç, me të cilin nëna e tij ishte njohur në Gjermani 30 vite më parë. Apeli i të riut, i mbushur me mall e shpresë, u shpërnda me shpejtësi nga qindra shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer kërkimin e tij në një kauzë të përbashkët.
Falë këtij reagimi të gjerë, Roman ka marrë sot lajmin që priste gjithë jetën: babai e ka kontaktuar. Megjithatë, përpara se të takohen, ai i ka kërkuar djalit një kusht – që njoftimet dhe fotot e publikuara në rrjetet sociale të fshihen. “Nëse dëshiron të vish në kontakt me mua që të të tregoj të vërtetën e plotë, duhet që njoftimi të hiqet nga të gjitha platformat… Sapo njoftimet të jenë fshirë, Besmiri do të të dërgojë numrin tim dhe pastaj mund të shkruajmë — por jo më parë”, thuhet në mesazhin që Roman ka ndarë me JOQ.
Ky zhvillim i gëzueshëm është një dëshmi e fuqisë që ka komuniteti shqiptar dhe JOQ Albania kur bashkojnë zërat për një kauzë njerëzore. Falë reagimit të madh të ndjekësve tanë dhe shpërndarjes së historisë, u bë e mundur që pas 30 vitesh baba e bir të gjejnë njëri-tjetrin, duke e kthyer një kërkim të vështirë në një ribashkim emocionues që vetëm solidariteti i shqiptarëve dhe ndërhyrja e JOQ mund ta realizonte.