Pas lajmit të aksidentit tragjik në Bolonjë, ku një 18-vjeçar shqiptar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, tashmë në rrjetet sociale dhe mediat italiane po qarkullon edhe videoja e momentit të përplasjes.
Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur makina tip Audi, e cila rezultonte e vjedhur, humb kontrollin në një kryqëzim me shpejtësi të lartë dhe përplaset fuqishëm fillimisht me një shtyllë ndriçimi, e më pas me disa automjete të parkuara. Goditja ka qenë aq e fortë, sa mjeti është dëmtuar pothuajse i gjithi, duke e bërë të pamundur shpëtimin e pasagjerit 18-vjeçar, i cili humbi jetën në vend.
Videoja, që tashmë po shpërndahet gjerësisht, ka tronditur opinionin publik në Itali dhe jo vetëm, duke sjellë reagime të forta për sjelljet e rrezikshme në trafik, sidomos gjatë tentativave për t’iu shmangur policisë.
Autoritetet italiane kanë konfirmuar se hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, si dhe origjinën e automjetit të vjedhur, ndërkohë që publikimi i videos i ka dhënë edhe më shumë jehonë tragjedisë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm.