Bashkia Pogradec i jep 4.5 milionë euro familjes së ish-kryetarit Kapri

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.09.2025, 20:17

Një tender i majmë prej 430 milionë lekësh të reja ose rreth 4.5 milionë euro, ka rikthyer në skenë familjen e ish-kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri. Në 11 shtator 2025, bashkia e drejtuar nga Ilir Xhakolli shpalli fituese kompaninë “REJ”, ku 80% të aksioneve i zotëron familja Kapri dhe 20% Gëzim Salillari, i quajtur ndryshe “Gëzimi i Kashtës”.

Tenderi ka për objekt “pastrimin, grumbullimin dhe largimin e mbeturinave të qytetit të Pogradecit dhe njësive administrative”, me një fond limit prej 436 milionë lekësh të reja. Oferta fituese ishte pothuajse e barabartë me fondin limit, plot 430 milionë lekë të reja. Ajo që ka ngritur më shumë dyshime është kohëzgjatja e kontratës: plot 48 muaj, ose katër vite, një periudhë e tejzgjatur që do të vijojë të prodhojë pasoja edhe pas përfundimit të mandatit të kryetarit aktual. Kjo është parë nga shumëkush si një formë “qoke” ndaj njerëzve të afërt, duke i garantuar familjes Kapri një burim të qëndrueshëm përfitimesh publike.

Procedura nuk ka kaluar pa polemika. Disa kompani konkurruese janë skualifikuar nga gara, duke forcuar bindjen se gjithçka ka qenë e paracaktuar. Dyshimet shtohen edhe më shumë kur rikthehet kujtesa për tenderët e mëparshëm: në fund të vitit 2019, e njëjta firmë “REJ” mori kontratën e pastrimit me një vlerë prej 625 milionë lekësh të reja ose rreth 6.2 milionë euro, e cila hyri në fuqi në fillim të vitit 2020 dhe zgjati pesë vite. Në atë kohë, ashtu si edhe tani, ofertues të tjerë u përjashtuan nga gara.

Pra, duket se tenderët e pastrimit në Pogradec kanë një “fitues të përhershëm”: familjen Kapri. Lidhjet e forta të ish-kryetarit në qytet, bashkëpunimet me emra të njohur të botës së biznesit dhe dyshimet për ndikime në KPP e kanë kthyer këtë kompani në të preferuarën e bashkisë, pavarësisht se Eduart Kapri është sot i pandehur nga SPAK për lejen e dhënë vëllait të tij për një pallat shumëkatësh në qendër të qytetit.

Në dukje, kemi të bëjmë me një skemë që përsëritet: kontrata shumëvjeçare, vlera të mëdha që afrohen maksimalisht me fondin limit, skualifikim i konkurrencës dhe përfitim i përhershëm nga të njëjtët emra. Një histori që e bën Pogradecin të duket më shumë si “pronë private” sesa si bashki e drejtuar në shërbim të qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit