Presidenti i Paris Saint-Germain dhe një nga figurat më të rëndësishme të futbollit europian, Nasser Al-Khelaifi, është filmuar në rrugët e Tiranës, duke blerë fruta në një dyqan të vogël pranë stadiumit “Air Albania”.
Al-Khelaifi ndodhet në kryeqytet që prej të enjtes, në kuadër të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila për herë të parë u zhvillua në Shqipëri.
I shoqëruar nga truproja e tij, miliarderi nga Katari është parë duke komunikuar miqësisht me kalimtarët dhe duke shkëmbyer disa fjalë me qytetarët që e njohën.
Videoja, që është bërë virale në rrjet, tregon presidentin e PSG-së në një moment të pazakontë për një figurë të këtij niveli, duke zgjedhur fruta në një dyqan të thjeshtë rruge.
Reagimet kanë qenë të shumta, me qytetarët që janë shprehur të habitur nga thjeshtësia e tij, ndonëse bëhet fjalë për një nga njerëzit më të pasur dhe me ndikim në botën e sportit.