“E pashë me sytë e mi”: Dëshmia e qytetares për tragjedinë në Durrës

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 12.09.2025, 22:44

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje qytetin e Durrësit, ku 42-vjeçari Bardhyl Kaloshi, baba i tre fëmijëve, humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike në rrugën “Mujo Ulqinaku”, pranë stadiumit. Trupi i tij u përfshi nga rryma teksa po kalonte në një segment të përmbytur nga reshjet e shiut. Banorët e zonës dhe dëshmitarët e cilësojnë këtë një tragjedi të paralajmëruar, duke akuzuar institucionet për neglizhencë të rëndë.

Sipas dëshmive, prej javësh banorët kishin njoftuar për shtylla elektrike me tela të zhveshur në zonë, duke paralajmëruar rrezikun serioz për kalimtarët. Megjithatë, as OSHEE, me drejtues Enea Karakaçin, dhe as Bashkia Durrës, nën drejtimin e kryetares Emirjana Sako, nuk morën masa parandaluese. Banorët pretendojnë se neglizhenca institucionale i hapi rrugën tragjedisë që i mori jetën Kaloshit.

Një qytetare, dëshmitare e ngjarjes, tregon për momentet dramatike dhe për vonesën e autoriteteve për të ndërprerë energjinë elektrike:

“Lajmërova ambulancën dhe policinë dhe bëra videon. Zotëria pranë lokalit shkoi të ndihmonte personin, pasi nuk e kuptoi çfarë kishte ndodhur, por rryma e shtyu tutje. Më pas zbrita poshtë për t’i dhënë ndihmë, sepse ende nuk e kisha kuptuar rrezikun, por për fat më ndaloi i njëjti zotëri, ndryshe do të kisha mbetur edhe unë.

Po ashtu, policia mbërriti menjëherë dhe deshi ta kapte viktimën, por nuk e dinin që kishte rrymë. Sapo i ndaluam dhe u thamë se kishte energji elektrike, edhe ata u ndalën, ashtu si ambulanca. Policia njoftoi OSHEE-n për të fikur dritat e rrugës, por ata reaguan vetëm pas dy orësh e gjysmë, bashkë me bashkinë.

Problemi është se në Bashkinë e Durrësit ka plot shtylla të zhveshura me tela jashtë, duke rrezikuar fëmijët dhe të gjithë ne. Zëri i tij kërkonte ndihmë dhe kjo më bëri të dal në dritare. Pronari i lokalit e kapi, por ai u drodh; nuk e kuptoja çfarë ndodhte. Jemi të tmerruar. Fëmijët e mi shëtisin çdo ditë qenin poshtë pallatit, dhe të tjerë janë dridhur nga rryma kur shkonin të lidhnin biçikletën.

Shteti fle gjumë. Mbrëmë na hoqën dritat kot, por nuk i hoqën kur duhej, vetëm kur deshën.”

Sipas kësaj dëshmie, vonesa e OSHEE-së për të ndërprerë energjinë elektrike ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë, duke lënë rrezikun aktiv për banorët gjatë gjithë kësaj kohe.

Banorët kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, duke theksuar se rreziku nga shtyllat e dëmtuara është i përhapur në shumë zona të qytetit. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë, OSHEE-së dhe Bashkisë Durrës të japin shpjegime për mungesën e ndërhyrjes në kohë dhe për mosreagimin ndaj denoncimeve të përsëritura.

Ky rast ka ndezur zemërimin e opinionit publik, ndërsa qytetarët paralajmërojnë se situata mund të përsëritet nëse nuk merren masa të menjëhershme për mirëmbajtjen dhe izolimin e rrjetit elektrik në të gjithë territorin e Durrësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit