Ardian Ismajli është zyrtarisht pjesë e Torinos. Klubi italian e prezantoi mbrojtësin e Kombëtares shqiptare me një video ku 28-vjeçari u pyet për jetën e tij, rrugëtimin dhe emocionet e para në qytetin e ri. Pas largimit nga Empoli këtë verë, Ismajli e cilësoi kalimin te Torino si një hap të madh në karrierë, duke theksuar se ndihet i gatshëm të japë gjithçka në Serie A.
“Jam këtu prej disa javësh dhe ndihem shumë mirë. Qyteti më pëlqen shumë, edhe bashkëshortes sime. Torino është një klub me histori dhe tifozë të jashtëzakonshëm, prandaj kur më kontaktuan, nuk hezitova”, tha mbrojtësi kuqezi.
I lindur në Kosovë, Ismajli nuk harroi të përmendë rrënjët dhe familjen e tij, që e ka mbështetur gjatë gjithë karrierës: “Jemi tre fëmijë, babai merret me politikë, vëllai është polic, por më parë ka luajtur futboll, ndërsa motra eksperte IT.”
Duke folur për rolin e tij në fushë, 28-vjeçari theksoi se përgjegjësia është pjesë e karakterit të tij. “Jam ndjerë gjithmonë kapiten edhe pa shirit. Me Shqipërinë pata nderin ta mbaj shiritin, një moment historik për familjen time. Dua t’i ndihmoj të rinjtë, sepse vetë kam kaluar vështirësi dhe di si t’i përballoj”, u shpreh ai.
Ismajli pranoi se luajtja në Serie A ishte një ëndërr që nga fëmijëria dhe se është gati të përshtatet me çdo sistem që kërkon trajneri. “Ishte ëndrra ime që kur isha fëmijë. Jam gati të përshtatem si në mbrojtje me tre ashtu edhe me katër lojtarë. Mesazhi për tifozët? Luftëtarët nuk dorëzohen kurrë. Ky është shpirti që do të jap gjithmonë në fushë me fanellën e Torinos”, përfundoi prezantimin mbrojtësi kuqezi.