Numri i të punësuarve në administratë dhe sektorin publik në Shqipëri arriti në 185,734 vetë në tremujorin e dytë të këtij viti, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar që nga viti 2002.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë një rritje prej mbi 2,400 vetësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është një nga nivelet më të larta të punësimit në shtet që nga viti 2001, kur Shqipëria kishte mbi 3 milionë banorë dhe një sektor publik prej 186 mijë të punësuarish — një nivel që asokohe konsiderohej si i fryrë dhe me nevojë për tkurrje. Sot, me një popullsi rezidente që ka rënë në rreth 2.36 milionë banorë, përqindja e të punësuarve në sektorin publik në raport me popullsinë është më e larta që nga rënia e komunizmit: 1 i punësuar në shtet për çdo 12 banorë, krahasuar me 1 në 16 banorë në vitin 2002.
Rritja e punësimeve në sektorin publik po ngre shqetësime serioze mbi ndikimin e kësaj prirjeje në cilësinë e demokracisë në vend. Vëzhgues ndërkombëtarë, në raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit, nënvizuan se punonjësit e administratës publike janë vendosur nën presion elektoral, ndërsa aludimet për përdorimin e vendeve të punës në shtet si mjet për ndikim politik janë përshkruar si “të përhapura në të gjithë vendin”.
Ndikimi financiar i kësaj rritjeje është reflektuar edhe në buxhet. Sipas Ministrisë së Financave, fatura e pagave të sektorit publik u rrit me 20% në gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që të ardhurat buxhetore u rritën vetëm me 6.7%, duke rritur më tej shqetësimet për qëndrueshmërinë fiskale të vendit.
Rritja e punësimeve në shtet, në një kohë me rënie të popullsisë dhe përkeqësim të perceptimit mbi integritetin e proceseve zgjedhore, po nxit debate të forta mbi rolin dhe qëllimin e administratës publike në Shqipëri.