“Ne nuk dalim dot nga shtëpia!”, kështu e nisin denoncimin e tyre për JOQ banorët e këtij pallati në Qerret, që ndodhet pranë hotel Brilliant.
E gjithë lagjja është e mbytur nga uji, i cili qëndron aty prej kohësh. Banorët tregojnë se kjo situatë ka kështu prej të paktën 5-vitesh, dhe përsëritet një herë në dy ditë. Sipas tyre, e gjitha lidhet me mosfunksionimin e një pompe që bën kullimin e ujit.
Në pamje mund të duket se i gjithë shesh-pushimi mes ndërtesave është kthyer në një pellg të madh me ujë, ku ka mbeturina pafund dhe tashmë ka nisur të mbijë dhe bimësia.
“Përshëndetje JOQ! Në Qerret të Kavajës, lagjja pas hotel Brilliant ka 5-vite që na mbyt lagjen. Kjo situatë është e tillë dhe ndodh çdo 2-3 ditë. Nuk ka të bëjë fare me shiun. Bashkia thotë është defekt pompimi,” thonë banorët.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve që merren me menaxhimin e kanalizimeve, pasi situata është kthyer në të padurueshme dhe vatër infeksionesh.