Qytetarët e Fierit po përballen me mungesë totale të furnizimit me ujë të pijshëm, pas dëmtimit të tubacionit kryesor nga punimet që po kryen firma ALBSTAR, me leje nga Bashkia Fier. Sipas denoncimeve nga qytetarët dhe bizneset e zonës, një nga punonjësit e firmës ka dëmtuar rëndë rrjetin, duke lënë pa ujë një pjesë të madhe të qytetit.
Banorët shprehen të revoltuar, duke theksuar se ndërtimet po bëhen me cilësi të dobët dhe pa kujdes profesional, duke sjellë pasoja tek qytetarët. Edhe pse kanë kaluar disa orë nga incidenti, deri në këto momente nuk është marrë asnjë masë konkrete për të rregulluar defektin apo për të rikthyer furnizimin me ujë.
“I mori me qafë Bashkia Fier të gjitha këto bizneset duke mos bërë punimet mirë. Punonjësi i firmës ALBSTAR që po kryen punimet ka çarë tubacionin kryesor të ujit të pijshëm dhe ka ngelë gjithë Fieri pa ujë. Ka dy orë pa ujë dhe akoma nuk janë marrë masat. Firma ndodhet në kthesën e Patosit, adresa e firmës”, shkruan qytetari.
Kompania “AlbStar” është në pronësi të Idajet dhe Sadik Ismailajt.