Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten pasdite në Varrezat e Chalkidës, Greqi, ku një konflikt mes dy të rinjve përfundoi me dhunë të ashpër dhe pasoja serioze.
Sipas mediave greke, gjithçka nisi kur një i ri shqiptar, ende pa identitet të bërë publik, sulmoi dhe plagosi një bashkëmoshatar grek, duke e goditur në kokë me një lopatë. Shkak i dyshuar i këtij akti të dhunshëm është një ngacmim që i riu grek i kishte bërë motrës së mitur të shqiptarit, çka shkaktoi reagimin e menjëhershëm dhe brutal.
Situata u përshkallëzua më tej kur babai i të riut grek, punonjës në varrezat ku ndodhi incidenti, sapo pa të birin e gjakosur, iu vërsul familjes shqiptare. Ai goditi automjetet e tyre, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke ndezur më shumë tensionet mes dy familjeve.
Policia greke ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi në komisariat shtatë persona të përfshirë në ngjarje, mes tyre edhe vajzën e mitur që ishte në qendër të konfliktit. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të secilës palë.