KLSH: Në Liqenin Artificial të Tiranës shkarkohen ujëra të ndotura urbane, nevojiten masa urgjente

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.09.2025, 11:03

Ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës, pjesë e rëndësishme e mushkërisë së vetme të gjelbër të kryeqytetit, po ndoten në mënyrë sistematike nga shkarkime të paautorizuara të ujërave të ndotura urbane.

Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka nxjerrë në dritë mungesën e koordinimit institucional dhe mosmarrjen e masave konkrete për të parandaluar këtë fenomen shqetësues.

Sipas auditimit, megjithë faktin se që në tetor 2024 është konstatuar ndotja e liqenit nga ujërat urbane të patrajtuara, deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa efektivë për identifikimin dhe ndëshkimin e shkaktarëve, apo për përmirësimin e gjendjes mjedisore të liqenit.

Edhe pse nga strukturat shtetërore është evidentuar që në muajin tetor 2024 (pra rreth 6 muaj më parë) se në Liqenin Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, aktualisht përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikës nuk ka funksionuar, fakt i shprehur edhe nga vetë strukturat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit gjatë auditimit” thuhet në auditim.

Bashkëpunimi ndërinstitucional për trajtimin e kësaj problematike rezulton i dobët, çka konfirmohet edhe nga strukturat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Auditimi thekson gjithashtu se në territorin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial mungon rrjeti i kanalizimeve, dhe subjektet që operojnë aty trajtojnë në mënyrë individuale largimin e ujërave të ndotura, shpesh përmes gropave septike, të cilat nuk monitorohen nga institucionet përkatëse. Mungesa e një evidencë të saktë mbi numrin dhe aktivitetin e këtyre subjekteve është shqetësuese.

“Brenda territorit të Liqenit të Tiranës bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private. Ndërkohë sipas përgjigjeve të APR rezulton se operojnë 14 subjekte, pra ndërmjet institucioneve nuk ka një evidencë të saktë të numrit të subjekteve të cilat operojnë në zonën e PMLAT, gjithashtu nga verifikimet në terren i grupit të auditimit rezultoi se brenda PMLAT ka më shumë se 14 subjekte, të cilat, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetëror” nënvizojnë audituesit e KLSH.

Si rekomandim, audituesit kërkojnë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit të monitorojë rregullisht ujërat e liqenit, duke informuar Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkinë e Tiranës për rezultatet. Gjithashtu, sugjerohet ngritja e një grupi ndërinstitucional për evidentimin e të gjitha pikave të shkarkimit të ujërave të ndotura, ndërprerjen e lidhjeve të jashtëligjshme dhe marrjen e masave ligjore kundër ndotësve.

Ky raport nxjerr në pah nevojën urgjente për një veprim të koordinuar dhe të fuqishëm, për të ruajtur një nga hapësirat më të rëndësishme të gjelbra të kryeqytetit dhe për të parandaluar dëmtimin e ambientit dhe shëndetit publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit