Kjo është gjendja e rrugës në fshatin Malinat, të Beratit, sapo bie pak shi, baltë, gropa dhe rrëshqitje, ku askush nuk kalon dot pa rrezik. Rruga është krejtësisht e paasfaltuar dhe mungesa e investimeve ka lënë banorët në izolim, veçanërisht në ditët me mot të keq.
Një qytetar, i cila udhëtoi drejt fshatit të gjyshes, tregon se mbeti në mes të baltës. “Më zuri shiu rrugës, mbeta aty. Rruga copë-copë, nuk e shtrojnë,” thotë ai. As Ervin Demo ish kryebashkiaku i cili u vendos në krye të Ministrisë së Shtetit dhe as kryetari aktual i komanduar Ervin Ceca nuk kanë vënë dorë në këtë fshat.
Banorët e zonës thonë se kanë kërkuar disa herë ndërhyrje nga Bashkia Berat, por rruga vazhdon të jetë jashtë çdo standardi. Ata kërkojnë që rruga Malinat të asfaltohet dhe të bëhet e sigurt për lëvizje në çdo stinë të vitit dhe premtimet mos të mbeten vetëm premtime boshe elektorale.