Pezullohen eksportet pas domateve me pesticide, fermerët: Shteti të na ndihmojë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.09.2025, 10:34

Pas bllokimit në Kroaci të rreth 8 tonëve domate shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticidit të ndaluar “Chlorfenapyr” dhe arrestimit të tre personave në Shqipëri, eksportuesit dhe fermerët në zonat bujqësore të Kutallit dhe Goriçanit kanë pezulluar përkohësisht eksportet bujqësore, duke ngritur alarmin për mungesën e kontrolleve dhe mbështetjes shtetërore.

Në pranga janë vënë pronari i një kompanie eksporti, Mariglen Qorri, 40 vjeç, dhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani. Ky zhvillim ka shkaktuar frikë dhe pasiguri mes grumbulluesve dhe eksportuesve të zonës, të cilët thonë se nuk mund të përballojnë kostot dhe mungesën e infrastrukturës për kontrollin e produkteve.

Tiljano Hasko, një nga eksportuesit kryesorë të zonës, shprehet se situata është jashtëzakonisht e rëndë:

“Nëse na kërkohet të bëjmë analiza për çdo fermer, është e pamundur. Më mirë mbyllim eksportin dhe ikim në emigrim. Nuk kemi as laboratorë modernë, as mbështetje. Nuk e dimë çfarë ka brenda një domate, ne e kontrollojmë vetëm për cilësi të jashtme.”

Fermerët si Admir Dervishi kërkojnë ngritjen e laboratorëve shtetërorë në Lushnje dhe Berat dhe vendosjen e tarifave të përballueshme për analizat, që t’i bëjnë vetë kontrollet që në fazat e para të prodhimit:

“Nuk është puna e grumbulluesit të bëjë analizat për produktin tim. Shteti duhet të ndërhyjë, përndryshe do vazhdojmë të përballemi me situata të tilla.”

Aktualisht, analizat për pesticidet bëhen një herë në 6 muaj dhe dërgohen në laboratorë jashtë vendit, kryesisht në Itali, me një kosto rreth 240 mijë lekë, çka konsiderohet e papërballueshme nga eksportuesit dhe fermerët.

Eksportuesit kanë paralajmëruar se bllokimi i eksporteve do të vijojë derisa institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për sigurinë ushqimore dhe për mbrojtjen e prodhuesve shqiptarë. Ata kërkojnë që shteti të marrë përgjegjësinë për ngritjen e një sistemi funksional të kontrollit të produkteve bujqësore, për të mos lejuar që një incident të izolojë gjithë sektorin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit