Ditën e djeshme reshjet e shirave përmbytën Durrësin, teksa kryebashkiakja në vend që të merrte masa për t'u shërbyer durrsakëve, zgjodhi të marrë pjesën në Asamblenë e Partisë Socialiste duke i lënë banorët në mëshirë të fatit.
Situata dje ishte alarmante, teksa sot është po e njëjta situatë alarmante. Një qytetare ka dërguar pamje në redaksinë e JOQ Albania ku shihet një situatë alarmante higjeno-sanitare në një prej lagjeve të qytetit të Durrësit.
Në pamje shihet një pusetë e hapur dhe e mbushur me ujëra të zeza ka shkaktuar përhapjen e fekaleve në rrugë. Siç shihet në pamjet e dërguara nga qytetarët, mbeturinat dhe llumi kanë dalë jashtë në sipërfaqe, duke ndotur trotuarin dhe rrugën përreth.
Siç duket kapaku i pusetës është gjysmë i hapur, duke përbërë rrezik serioz për kalimtarët, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit. Banorët e zonës shprehen të revoltuar nga mungesa e reagimit të Bashkisë me kryetarja Emiriana Sakon dhe strukturave përgjegjëse.
Situata ka qenë e njëjtë që në orët e para të mëngjesit dhe nuk është marrë asnjë masë deri në orët e mbrëmjes. “Dolëm vetë dhe i pastruam shkallët që ishin mbushur me fekale. Askush nuk ka ardhur të ndërhyjë”, u shpreh ajo për JOQ Albania.