Fenomeni i fishekzjarreve pas mesnate vijon të shqetësojë qytetarët e Tiranës, duke u kthyer në një problem të përnatshëm. Denoncime të panumërta kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të ndryshëm që ankohen për mungesën e qetësisë dhe mosreagimin e autoriteteve.
Një qytetar nga kryeqyteti na ka dërguar së fundmi një video nga rruga “Todi Shkurti”, pranë depos së ujit, duke treguar situatën e përsëritur çdo natë.
“Përshëndetje JOQ! Kjo situatë ndodh çdo natë me fishekzjarre shumë më të zhurmshme se ç’dëgjohen në video. Hidhen në orën 11, 12 e ndonjëherë dhe në 1 të natës. Na lanë pa gjumë përnatë, na zgjojnë dhe nuk vjen askush të marrë masa. Është shqetësim për të gjithë lagjen! Shumë herë jemi ankuar edhe si banorë, por pa asnjë reagim. A do të merren masa ndonjëherë?!” – shprehet qytetari.
Nuk është hera e parë që banorët denoncojnë këtë fenomen. Edhe më herët, zona të tjera të Tiranës kanë raportuar për “terrorin akustik” të fishekzjarreve, të cilat shpërthejnë në mes të natës duke trembur fëmijët dhe të moshuarit.
Banorët kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë dhe të ndalojnë këtë praktikë të dëmshme, duke apeluar për mënyra më të civilizuara festimi që nuk cënojnë gjumin dhe mirëqenien e komunitetit.