Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar hapur se nuk do të ketë kurrë shtet palestinez. Në një ceremoni nënshkrimi për një projekt të madh ndërtimi në koloninë izraelite Maale Adumim, në Bregun Perëndimor të pushtuar, ai u shpreh:
“Ne do ta përmbushim premtimin tonë, nuk do të ketë shtet palestinez. Kjo tokë na përket neve. Do të mbrojmë trashëgiminë tonë, tokën tonë dhe sigurinë tonë.”
Netanyahu paralajmëroi gjithashtu se qyteti do të dyfishojë popullsinë e tij.
Ky projekt prek zonën shumë të diskutueshme E1, e cila lidh Jeruzalemin me koloninë Maale Adumim. Prej vitesh, planet për ndërtim aty janë bllokuar për shkak të kundërshtimeve ndërkombëtare, pasi ndarja e kësaj zone do të shkatërronte çdo mundësi për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.
Muajin e kaluar, ministri i ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich miratoi ndërtimin e rreth 3400 shtëpive në këtë tokë, vendim që shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti projektin një “kërcënim ekzistencial” për një zgjidhje me dy shtete.
Ndërkohë, disa vende perëndimore, përfshirë Britaninë dhe Francën, kanë paralajmëruar se do të njohin Palestinën në OKB këtë muaj nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim në luftën e përgjakshme të Gazës.
Sot, në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 3 milionë palestinezë dhe mbi 500 mijë kolonë izraelitë.