Në kulmin e krizës energjetike që ka shoqëruar vendin këtë verë, me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike sidomos në zonat turistike, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) i është zbuluar një tjetër tender i dyshimtë me vlerë marramendëse.
Në fillim të gushtit, Drejtoria e Tensionit të Lartë, strukturë në varësi të OSSH, ka shpallur fituese kompaninë “Ferro Beton & Construction Co” në një procedurë të zhvilluar me ritëm “urgjent”, duke vënë në lojë një fond prej rreth 6 milionë eurosh. Tenderi me fond limit 599.9 milionë lekë u hap me një afat vetëm dyjavor, duke mbyllur garën në 5 korrik.
Nga dokumentet e siguruara, rezulton se në garë morën pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë, ndërsa “Ferro Beton & Construction” fitoi me një ofertë 587.7 milionë lekë, pra vetëm rreth 100 mijë euro më pak se fondi limit, një diferencë që ngre dyshime serioze mbi konkurrencën reale të procesit.
![]()
Kompania fituese, e themeluar në vitin 2002, ka pasur si ortak themelues ish-deputetin socialist Arben Pëllumbi, i cili u tërhoq nga aksionet në vitin 2008. Aktualisht, pronarë të saj janë biznesmenët Ilir Shtufi dhe Mark Luli, të njohur për përfshirjen e vazhdueshme në tendera të mëdhenj publikë dhe projekte ndërtimore.
Procedura u mbikëqyr nga drejtori i Tensionit të Lartë, Olsi Ngjela, ndërsa burimi i financimit ishin të ardhurat e vetë OSSH-së, një institucion në varësi të ministres Belinda Balluku dhe nën administrimin e Blendian Dalipit.
Ky tender prej 6 milionë eurosh i dhënë “me urgjencë” shton edhe më shumë dyshimet mbi mënyrën se si përdoren fondet publike për emergjencat energjetike në Shqipëri, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me ndërprerje dritash dhe faturime gjithnjë e më të larta.