Edhe pse ndodhet vetëm pak qindra metra larg qendrës së Tiranës, banorët e zonës pranë “Ish-Kafe Flora”, midis rrugës Mine Peza dhe Rrugës së Durrësit, përballet çdo ditë me kaosin e parkimeve të çrregullta.
Banorët e pallateve ankohen se kjo situatë u vështirëson lëvizjen, madje shpesh i pengon të dalin normalisht nga hyrjet e pallateve. Problemi bëhet edhe më i madh për personat që përdorin karroca, apo familjet që kanë të sëmurë në shtëpi.
“Kjo punë është përditë. Nuk kemi ku kalojmë as të sëmurët, as me karroca. Ky kaos bëhet përditë. Shiko si është këtu, e përditshme. Në mëngjes nuk kalohet dot fare. Ju lutem të merren masa se këtu nuk hyn dot as ambulanca, duhet t’i nxjerrim të sëmurët deri në rrugën kryesore,” thotë një denoncues.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të vendosur rregull, duke ndaluar parkimet vend e pavend dhe duke siguruar hapësira të posaçme që rruga të mos bllokohet më.