Një qytetare nga lagjja nr. 17 në Durrës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar situatën dramatike në banesën e saj pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin bregdetar.
Në videon e dërguar shihet qartë se shtëpia e saj është mbushur plot me ujë, duke u kthyer e gjitha në një pellg brenda mureve të banesës. Ajo thekson se ky nuk është rasti i parë, por hera e dytë që familja e saj përmbytet.
“Lagjia 17, rruga Meshari, është e gjitha e mbuluar nga uji. Shtëpia ime është mbushur brenda dhe çdo gjë ka dalë jashtë përdorimit. Deri në orën 6:30 nuk kishte ujë, më pas u mbush menjëherë. Ora është 16:30 dhe uji ndodhet ende aty. Kemi kontaktuar edhe kryetaren e bashkisë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje,” – shprehet qytetarja.
Sipas saj, dëmet janë të jashtëzakonshme, pasi çdo pajisje në banesë është shkatërruar nga përmbytja, ndërsa fakti që uji ka qëndruar për më shumë se 10 orë brenda shtëpisë, tregon për dështimin total të sistemit kullues në këtë lagje të qytetit.
Situata në Durrës sot ka qenë kaotike. Lagje të tëra janë paralizuar nga përmbytjet, rrugët janë kthyer në lumenj, ndërsa banorët thonë se uji u ka shkuar deri në gjysmë metri, duke pamundësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Fatkeqësisht, as tragjeditë nuk u shmangën dot: një 44-vjeçar, baba i tre fëmijëve, humbi jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë elektrike të dëmtuar që kishte mbetur prej ditësh pa u riparuar. Banorët e akuzojnë OSHEE-në dhe Bashkinë Durrës për neglizhencë, duke theksuar se sinjalizimet për rrezikun ishin bërë prej një jave.
Po sot, edhe investime të mëdha si Veliera përfunduan nën ujë, ndërsa dhjetëra shtëpi dhe automjete u përmbytën në lagjet 16 dhe 17.
Qytetarët shprehen të indinjuar, duke theksuar se kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje më të dendura. Ndërkohë, kryebashkiakja Emiriana Sako u kritikua ashpër nga banorët, pasi në vend që të përballej me gjendjen në terren, zgjodhi të merrte pjesë në asamblenë e partisë.