David Nikolli, një sportist i atletikës që ka përfaqësuar Shqipërinë në kompeticione të ndryshme që prej moshës 16-vjeçare, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, për të bërë një thirrje publike për institucionet që merren me menaxhimin e sportit në vendin tonë.
Në një rrëfim të shkurtër, Davidi rendit disa nga arritjet që ka bërë gjatë karrierës së tij, ku thotë se ka siguruar 14 rekorde Kombëtare, 8 medalie Ballkanike, mes të cilave 3 të arta, 2 të argjendta dhe 3 të bronzta. Ai shton se ka përfaqësuar kombëtaren shqiptare me dinjitet dhe rezultatet e tij njihen nga mbarë bota, por jo nga institucionet shqiptare.
“Pavarësisht këtyre arritjeve, që sipas ligjit duhet të shpërblehen, nuk kam marrë asnjë shpërblim, njohje apo mbështetje financiare që nga viti 2017. Kërkesat e mia janë bërë vazhdimisht përmes Federatës Shqiptare të Atletikës, por autoritetet përgjegjëse nuk janë përgjigjur dhe nuk zbatojnë ligjin për sportistët elitarë,” shkruan ai.
Ai thotë se nuk po kërkon asnjë favor, por vetëm që ligjet që janë miratuar nga vetë shteti Shqiptar për shpërblimin e sportitëve të zbatohen.
“Kam qëndruar i heshtur për vite me radhë, por sot ndjej detyrimin të flas. Jo për mëshirë, jo për viktimizim, por për të denoncuar një padrejtësi që nuk duhet të vazhdojë më. Kam bojkotuar përfaqësimin në 5 gara ndërkombëtare këtë vit si shenjë proteste, edhe pse isha në formën time më të mirë dhe synoja medalje. Jo sepse nuk dua të garoj, por sepse nuk ka më kuptim të sakrifikoj për një sistem që nuk respekton as ligjin dhe as sportistin. Kam dhe dua ende të jap më shumë për Shqipërinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi im më njeh dhe më respekton, ashtu siç respekton çdo sportist tjetër që përfaqëson flamurin kuqezi,” shton ai më tej.
Në vendin e Davidit mund të jenë dhe shumë sportistë të tjerë që kanë përfaqësuar vendin tonë, por asnjëherë nuk kanë marrë shpërblimin e merituar. Jo se ata nuk janë krenari për ne që na përfaqësojnë me dinjitet, por Davidi e mori guximin të flasë publikisht për problemet me të cilat po përballet ai dhe kolegët e tij.
Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë dhe të mbështesin sportistët që përfaqësojnë vendin në gara dhe kompeticione të ndryshme, ashtu sikur parashikohet nga dispozitat ligjore në fuqi. Shembulli i Davidit duhet të shërbejë si një nxitje për sportistët e tjerë, që të kërkojnë atë që meritojnë.