Një raport i ri nga Parlamenti francez ka rekomanduar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për adoleshentët nga 15 deri në 18 vjeç, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin mendor të tyre. Sipas raportit, përdorimi i pakontrolluar i platformave si TikTok ndikon negativisht në vetëvlerësimin, gjumin dhe vëmendjen e të rinjve.
Komisioni parlamentar, i ngritur pas disa padive kundër TikTok-ut në fund të vitit 2024, thekson se pavarësisht përpjekjeve të platformave për të hequr përmbajtjen e papërshtatshme, shumë video me përmbajtje të dëmshme vazhdojnë të qarkullojnë. Një rast i rëndë përmendet ai i një vajze 18-vjeçare që kreu vetëvrasje pas ekspozimit ndaj videove që nxisnin vetëlëndimin.
Raporti paralajmëron se nëse rrjetet sociale nuk përmbushin detyrimet ligjore të parashikuara në Rregulloren Evropiane për Shërbimet Digjitale (DSA) brenda tre vitesh, mund të vendoset ndalim total për përdoruesit nën 18 vjeç. Ndërkohë, për të miturit nga 15 deri në 18 vjeç, rekomandohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale nga ora 22:00 deri në orën 08:00, si masë parandaluese ndaj efekteve të dëmshme.