Pamjet e mëposhtme vijnë nga autostrada Tiranë–Durrës, e cila prej muajsh është shndërruar në një kantier të hapur ndërtimi. Punimet kanë sjellë vështirësi në qarkullim, pasi rruga në disa segmente është ngushtuar dhe trafiku shpesh bëhet i rënduar.
Edhe pse një pjesë e aksit tashmë është përfunduar, ajo nuk është hapur ende për përdorim, duke qëndruar e bllokuar për rregullimet e fundit. Megjithatë, disa drejtues mjetesh zgjedhin të shpëtojnë nga trafiku duke hyrë në segmentet e mbyllura, të cilat vijojnë të jenë kantier aktiv.
Në videon e dërguar nga një qytetar, shihen disa automjete, mes tyre edhe një furgon pasagjerësh, teksa përdorin rrugën që është kantier për të pakaluar. “Ja tani direkt nga autostrada Durrës–Tiranë, gjithë të tjerët presin në trafik dhe shumë të tjerë futen te pjesa e punimeve”, shkruan qytetari.
Kjo sjellje jo vetëm që është e padrejtë për drejtuesit e tjerë që respektojnë rregullat e qarkullimit, por paraqet edhe rrezik të madh. Segmentet në fjalë nuk kanë përfunduar plotësisht pasi punëtorët e kantierit vijojnë të jenë aty, dhe automjetet që futen mund të përplasen me makineritë e rënda që po shtrojnë asfaltin.
Si zgjidhje, kërkohet që autoritetet të marrin masa më të rrepta: ndëshkime administrative për shkelësit dhe mbyllje të plotë të hyrjeve në zonat e kantierit, në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik i mundshëm.