Një qytetar nga Shkodra ka dërguar një mesazh shqetësues pranë redaksisë sonë, duke denoncuar një rrezik serioz pranë spitalit rajonal. Sipas tij, një kabull elektrik i ekspozuar ndodhet në rrugë dhe përbën kërcënim për jetën e kalimtarëve, veçanërisht pas reshjeve të dendura që përmbytën zonën në mëngjes.
“Përshëndetje, si jeni. Është rasti i dytë që shohim ku njerëzit rrezikojnë jetën nga korrentet. Rrugës, pranë spitalit, ishte plot ujë në mëngjes, tani është tharë, por energjia është aktive dhe rrezikon jetën,” shkruan qytetari.
Ky denoncim vjen vetëm pak orë pas tragjedisë në Durrës, ku një 44-vjeçar humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike në një rrugë të përmbytur. Ngjarja ka shtuar frikën se situata e rrezikshme e kabullave dhe shtyllave elektrike të dëmtuara mund të përsëritet kudo, sidomos pas shirave të fundit.
Qytetari kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse në Shkodër, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për banorët dhe kalimtarët që përdorin këtë segment pranë spitalit.