Pirro Vëngu, ministri aktual i Mbrojtjes, është kthyer në figurën më të dashur të Kryeministrit, edhe pse lista e “sukseseve” të tij ngjan më shumë me një raport dështimesh. Ironia e madhe? Sa më shumë dështon, aq më shumë rritet në hierarki.
Mjafton të kujtojmë rastin tragjik të Arditit në Burrel, i cili qëndroi i pajetë shtatë ditë nën dhè, ndërsa institucionet që duhej të reagonin rrinin në gjumë. Pastaj erdhën verërat me zjarret e tyre të përvitshme, ku ushtria e drejtuar nga Vëngu u shfaq më e papërgatitur se kurrë. Në vend të një reagimi të shpejtë, pamë flakët që përpinë male e pyje dhe në fund, u desh të thërrisnim ndihmën e fqinjëve për të shpëtuar territorin tonë.
Në kazerma, situata nuk është më e ndritshme: ushtarët denoncojnë kushtet e punës, mungesën e pajisjeve bazike dhe uniformat e blera në Temu, që nuk të mbrojnë as nga dielli, jo më nga ndonjë zjarr. Ndërkohë, një tjetër “sukses” i ministrit ka qenë dhënia e qindra tendave pa asnjë justifikim të qartë një shfaqje bujarie që nuk e kuptoi askush, përveçse atyre që përfituan në heshtje. Pra, një ushtri që duket më shumë si një repart cosplay sesa si forcë mbrojtëse.
Megjithatë, ndërsa qytetarët përballen me tragjedi e zjarre, ndërsa ushtarët kërkojnë minimumin e dinjitetit, ministri i Mbrojtjes arrin suksesin e madh: fiton zemrën e Kryeministrit. Sepse në Shqipëri nuk ka rëndësi sa pyje digjen, sa jetë humben, sa ushtarë ankohen apo sa tenda shpërndahen pa llogari e vetmja gjë që llogaritet është besnikëria ndaj kreut.
Dhe kështu, Pirro Vëngu hyn në historinë e politikës shqiptare si ministri që nuk mbrojti dot vendin, por karrigen e vet edhe pë 4 vite nuk e lëshoi.