Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 10 shtatorit në rrugën “Ali Begeja” në kryeqytet, ku një konflikt mes adoleshentësh përfundoi me plagosjen e tre të rinjve. Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë të mitur, të moshave nga 15 deri në 17 vjeç, të dyshuar si autorë të sulmit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 19:50, të miturit kanë goditur me thika Ahmed Agollin (22 vjeç), Hendri Rasën (19 vjeç) dhe Klaus Mihajn (19 vjeç). Të tre të plagosurit u transportuan menjëherë në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në vendngjarje, policia sekuestroi dy armë të ftohta të përdorura gjatë përplasjes.
Burime hetimore bëjnë me dije se konflikti ka nisur një ditë më parë, kur disa të mitur u panë duke konsumuar lëndë narkotike pranë një lokali, gjë që solli reagimin e tre të rinjve, të cilët u kërkuan të largoheshin. Përplasja verbale u kthye në hakmarrje, dhe një natë më pas, rreth 15 adoleshentë, disa të maskuar, u rikthyen në lokal për të sulmuar.
Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan policinë të identifikojë pesë nga autorët kryesorë të sulmit, të cilët tashmë ndodhen në pranga. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.