Trump “shpërthen” pas masakrës në SHBA: “Vrasësi të dënohet me vdekje”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.09.2025, 18:54

Një krim makabër në Charlotte, Karolina e Veriut, ka tronditur opinionin publik amerikan. Një burrë i pastrehë, DeCarlos Brown, 34 vjeç, goditi për vdekje me thikë një vajzë 23-vjeçare nga Ukraina, Iryna Zarutska, e cila kishte ardhur në SHBA si refugjate për t’i shpëtuar luftës. Sulmi ndodhi brenda një vagoni treni, pa asnjë arsye apo provokim.

Pamjet e sigurisë brenda trenit, që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë momentet dramatike të sulmit brutal. Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe thirrje të forta për drejtësi, me shumë qytetarë që akuzojnë autoritetet për dështime në sistemin e sigurisë publike.

Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, duke kërkuar që autori të dënohet me vdekje: “Kafsha që vrau me kaq dhunë vajzën e bukur ukrainase, e cila erdhi në Amerikë duke kërkuar paqe dhe siguri, duhet të marrë një gjyq të shpejtë dhe dënimin me vdekje! Nuk ka zgjidhje tjetër.”

Deklarata e tij ndezi debat të madh, veçanërisht mes mbështetësve konservatorë që akuzojnë mediat kryesore për heshtje të qëllimshme ndaj rastit. Ata e kanë cilësuar krimin si një pasqyrë të problemeve të thella me menaxhimin e personave të pastrehë dhe me çrregullime mendore.

Iryna Zarutska, vetëm 23 vjeçe, është përkujtuar me mijëra mesazhe solidariteti në rrjetet sociale. Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një motiv zyrtar për sulmin, ndërsa Brown ndodhet në paraburgim dhe pritet të përballet me akuzën për vrasje të shkallës së parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit