Tirana pa ujë! UKT nuk jep zgjidhje dhe as oraret

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.09.2025, 18:07

Dhjetëra mijëra banorë të kryeqytetit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm për periudha të gjata kohore, ndërsa situata në disa zona të Tiranës vazhdon të jetë alarmante.

Në lagjet më të populluara si Astir, Laprakë, Sauk, Farkë, Selitë, Kombinat, Kinostudio, Ali Dem, ish-Bllok, 21 Dhjetori, dhe zona të tjera, banorët furnizohen me ujë të pijshëm 3 deri në 5 orë në ditë, ndërkohë që oraret e sakta janë të panjohura.

Banorët e zonës së Astirit, veçanërisht në pallatet pranë Bulevardit të Kasharit, vuajnë kufizime drastike prej dy vitesh, ndërkohë që janë ankuar me shkresa të shumta, por pa asnjë zgjidhje. Për më tepër, në disa raste uji përzihet me ujërat e zeza, duke rrezikuar shëndetin e banorëve.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pretendon se ka orare të përcaktuara furnizimi, por refuzon t’i bëjë publike edhe pas kërkesave të përsëritura nga mediat. Kjo mungesë transparence ngre dyshime se oraret nuk respektohen dhe furnizimi me ujë nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar.

Në këto rrethana ku askush nuk jep zgjidhje dhe as përgjigje për situatën kaotike e skandaloze të krijuar, banorët e Tiranës janë të detyruar të blejnë bote dhe bidona me ujë, ndërkohë që Ujësjellësi i mban me shpresa boshe duke u mbushur nga 2-3 bidona me autobotet e saj.

Tirana, me një popullsi rezidente prej rreth 600 mijë banorësh sipas Censusit të 2023, është kryeqyteti i vetëm në rajon që nuk ka furnizim 24-orësh me ujë të pijshëm. Në krahasim, qytetet e tjera rajonale si Prishtina, Shkupi, Podgorica, Beogradi dhe Sarajeva sigurojnë ujë për pjesën më të madhe të ditës, duke ofruar kushte më të mira jetese.

Kjo situatë vjen në një kohë kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Europian dhe promovon Tiranën si destinacion turistik, megjithatë mungesa e ujit krijon pengesa serioze për zhvillimin dhe jetesën e qytetarëve dhe vizitorëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit