Paratë që emigrantët sjellin për familjet e tyre në Shqipëri vijojnë të rriten, megjithatë në gjysmën e parë të vitit 2025 kanë shfaqur shenja të dukshme ngadalësimi.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar–qershor, remitancat arritën në 532 milionë euro, me një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga viti 2020, kur fluksi u godit nga pandemia e Covid-19 – ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja kishte qenë 14.5%.
Që nga viti 2013, dërgesat nga emigrantët kanë ndjekur një trajektore në rritje, duke reflektuar valën e re të emigracionit që nisi pas vitit 2015. Pas një rënieje të përkohshme gjatë pandemisë, remitancat u rikthyen në nivele të larta, duke kapërcyer për herë të parë në 6-mujorin e vitit 2024 pragun e 500 milionë eurove.
Sipas Eurostat, vetëm gjatë viteve 2022–2023 janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë, ndërsa që prej vitit 2008 ky numër ka arritur në 920 mijë, një bazë e madhe potenciale që vazhdon të mbështesë financiarisht familjet në Shqipëri.
Vendet kryesore nga ku vijnë remitancat mbeten Greqia dhe Italia, por po vërehet rritje e dërgesave edhe nga Anglia dhe Gjermania. Banka e Shqipërisë i përfshin këto dërgesa në bilancin e pagesave si pjesë e llogarisë korrente, sipas standardeve të FMN-së.
Përllogaritja përfshin jo vetëm transfertat përmes kanaleve formale si bankat dhe operatorët financiarë, por edhe ato informale, duke u bazuar në anketa të rregullta me familjet përfituese dhe të dhënat nga sistemi bankar dhe subjektet e licencuara.