Lapraka rezulton zona më e zhurmshme e Tiranës, sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Niveli i zhurmës gjatë ditës në këtë zonë ka arritur në 69.8 decibel, duke e tejkaluar me 27% normën e lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që është 55 dB. Edhe gjatë natës ka tejkalim të normës me 9.3%, duke ekspozuar banorët ndaj ndotjes akustike në çdo orë të ditës.
Pas Laprakës, zonat më të zhurmshme janë Stacioni i Trenit dhe kryqëzimi te Vasil Shanto, ndërsa më pak i ekspozuar rezulton stacioni te “Shkolla e Bashkuar”.
Në të gjitha 15 zonat e monitoruara në kryeqytet është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të zhurmës, ku burimet kryesore janë trafiku i automjeteve, sirenat, boritë dhe mungesa e masave mbrojtëse.
Sipas ekspertëve, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre niveleve zhurme ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, duke shkaktuar probleme me dëgjimin, çrregullime të gjumit, stres, agresivitet, dhe në raste afatgjata edhe sëmundje kardiovaskulare apo rritje të presionit të gjakut. Agjencia i bën thirrje institucioneve të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e ndotjes akustike në zonat urbane më të ngarkuara.