Ura e Muhurrit, e cila kalon mbi lumin Drin në qarkun e Dibrës, ka vite që është kthyer në një burim frike për banorët e njësisë administrative Muhurr. Mungesa e mirëmbajtjes dhe dëmtimet e rënda kanë bërë që kjo urë, që njëherë shërbente si lidhje jetike për zonën, të bëhet një kërcënim për jetën e kalimtarëve.

Pavarësisht rëndësisë së saj, bashkia DIbër me krtear Rahim Spahiun dhe qendrore ende nuk kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar rrezikun që i kanoset banorëve të shtatë fshatrave të kësaj zone. Fshatrat si Fushë-Muhurri, Bulaçi dhe Rreth-Kale varen nga kjo urë për të pasur akses në shërbimet themelore, duke përfshirë mjekësinë dhe arsimin.

Megjithatë, për shkak të gjendjes kritike të strukturës, ata janë të detyruar të kalojnë çdo ditë me frikë, duke rrezikuar jetën e tyre. Në vitin 2022, u bë një tentativë për të sistemuar dhe asfaltuar urën, por tenderi u anullua për shkak të gabimeve në dokumentet e prokurimit, duke lënë punët në vend dhe banorët të pashpresë.

Banorët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për të evituar tragjedi të mundshme, ndërsa përgjegjësit lokalë dhe qendrorë duhet të veprojnë pa vonesa. Pa një rehabilitim të shpejtë, Ura e Muhurrit mund të kthehet në një simbol tragjik të neglizhencës, duke lënë pas vetes vetëm dhimbje dhe humbje. Tani është momenti për t'u treguar serioz ndaj një problemi që mund të preki të gjithë rajonin.

"Përshëndetje, Po denoncoj një situatë alarmante në fshatin Muhurr, Bashkia Dibër, që po rrezikon sigurinë e banorëve të zonës. Bashkia duhet të marrë masa urgjente për këtë urë për të parandaluar një tragjedi dhe për të rregulluar gabimet që janë bërë", shkruan qytetari për JOQ.